Lufta “guerile”/ Zelensky paralajmëron për copëtim: Duan ta ndajnë Ukrainën në mes si dy Koretë, na duhen armë

Rusia dëshiron të ndajë Ukrainën në dysh, siç ndodhi me Korenë e Veriut dhe atë të Jugut, tha të dielën shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, duke u zotuar për një luftë “totalisht” guerile për të parandaluar një copëtim të vendit.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy i kërkoi Perëndimit t’i japë Ukrainës tanke, aeroplanë dhe raketa për të ndihmuar në shmangien e forcave ruse. Zyrtarët e lartë amerikanë kërkuan të dielën të sqarojnë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një politikë të ndryshimit të regjimit në Rusi, pasi presidenti Joe Biden tha në fund të një fjalimi në Poloni të shtunën se udhëheqësi rus Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

Pas më shumë se katër javësh konflikt, Rusia nuk ka arritur të pushtojë asnjë qytet të madh ukrainas dhe sinjalizoi të premten se po zvogëlonte ambiciet e saj për t’u fokusuar në sigurimin e rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar ushtrinë ukrainase për tetë vitet e fundit. Një udhëheqës lokal në Republikën e vetëshpallur Popullore të Luhanskut tha të dielën se rajoni së shpejti mund të mbajë një referendum për bashkimin me Rusinë, ashtu siç ndodhi në Krime pasi Rusia pushtoi gadishullin ukrainas në vitin 2014. Krimeasit votuan me shumicë dërrmuese për t’u shkëputur nga Ukraina dhe për t’u bashkuar me Rusinë — një votë që shumica e botës refuzoi ta njohë.

“Në fakt, është një përpjekje për të krijuar Korenë e Veriut dhe të Jugut në Ukrainë”, tha Kyrylo Budanov, kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, në një deklaratë, duke iu referuar ndarjes së Koresë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai parashikoi se ushtria e Ukrainës do të zmbrapste forcat ruse.

“Përveç kësaj, sezoni i një safari total gueril ukrainas do të fillojë së shpejti. Pastaj do të mbetet një skenar përkatës për rusët, si të mbijetojnë,” tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës hodhi poshtë gjithashtu fjalët për ndonjë referendum në Ukrainën lindore.

“Të gjitha referendumet e rreme në territoret e pushtuara përkohësisht janë të pavlefshme dhe nuk do të kenë vlefshmëri ligjore”, tha Oleg Nikolenko për Reuters.

‘MIZOR DHE PA KUFIZUAR’

Moska thotë se qëllimet për atë që Putin e quan një “operacion special ushtarak” përfshijnë çmilitarizimin dhe “denazifikimin” e fqinjit të saj. Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë e quajnë këtë një pretekst për pushtim të paprovokuar.

Pushtimi ka shkatërruar disa qytete të Ukrainës, ka shkaktuar një krizë të madhe humanitare dhe ka zhvendosur rreth 10 milionë njerëz, gati një e katërta e popullsisë së Ukrainës.

THIRRJE PËR ARMË

Zelenskiy kërkoi në një fjalim televiziv të natës vonë të shtunën që kombet perëndimore të dorëzojnë pajisje ushtarake që po “mblidhnin pluhur” në stoqe, duke thënë se kombit të tij i duheshin vetëm 1% të avionëve të NATO-s dhe 1% të tankeve të saj.

Vendet perëndimore i kanë dhënë Ukrainës raketa antitank dhe kundërajrore, si dhe armë të vogla dhe pajisje mbrojtëse, pa ofruar armaturë të rëndë apo avionë.

Këshilltari i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Vadym Denysenko tha se Rusia kishte filluar të shkatërrojë qendrat e magazinimit të karburantit dhe ushqimit të Ukrainës. Duket se konfirmoi këtë, Rusia tha se raketat e saj kishin shkatërruar një depozitë karburanti të shtunën, si dhe një fabrikë riparimi ushtarak pranë qytetit perëndimor të Lviv.

Ukraina po ndërmerrte veprime të vogla kundërofensive ndërsa forcat ruse përpiqen të rrethojnë forcat e saj në Ukrainën lindore, tha një këshilltar presidencial ukrainas.

Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar 1,119 të vdekur civilë dhe 1,790 të plagosur në të gjithë Ukrainën, por thotë se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë më i lartë. Ukraina tha të dielën se 139 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 205 janë plagosur deri më tani në konflikt.

Ukraina dhe Rusia ranë dakord për dy “korridore humanitare” për të evakuuar civilët nga zonat e vijës së frontit të dielën, duke përfshirë lejimin e njerëzve të largohen me makinë nga qyteti jugor i Mariupolit, tha zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk.

Porti i rrethuar, i vendosur midis Krimesë dhe zonave lindore të mbajtura nga separatistët e mbështetur nga Rusia, është shkatërruar nga bombardimet e rënda disa javësh. Mijëra banorë janë strehuar në bodrume me ujë, ushqim, ilaçe apo energji të pamjaftueshme./REUTERS, përktheu dhe përshtati GAZETA SHQIPTARE.