Sot dërgohen në Austri edhe dy prej të lënduarve nga shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj

Dy nga të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi gjatë kësaj jave, pritet që sot të dërgohen për shërim në Grac të Austrisë.

Enver Xhokli dhe Fidan Gashi, ishin në mesin e 42 personave të cilët pësuan lëndime pas shpërthimit të bombolës, ku gjashtë prej tyre ishin më rëndë të lënduar.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur dje se gjendja shëndetësore e dy pacientëve është stabile.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Harandinaj–Stublla, ka falënderuar për angazhimin e tij ambasadorin e Kosovës në Austri, Lulzim Pllana dhe stafin e misionit tonë në Austri.

Po ashtu, falënderim të veçantë ka bërë edhe për ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.

Ndryshe ditë më parë në Turqi janë dërguar edhe katër pacientë të tjerë të cilët nga ky shpërthim ishin në gjendje më të rëndë.