Luftë mes dy bandave në Kavajë, vritet një kalimtar, 7 të plagosur, kapet njëri nga autorët

Një person është vrarë mesditën e sotme dhe 7 të tjerë janë plagosur pas përplasjes me armë zjarri mes dy grupeve.

Nga informacionet paraprake, gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se në hyrje të qytetit të Kavajës, te stacioni hekurudhor, dy grupe të rinjsh janë përplasur me armë zjarri, ndërsa i vdekur ka mbetur një person, rreth 50-vjeç që nuk kishte lidhje me ngjarjen.

Ai mësohet se ka qenë duke qëndruar në atë zonë, ndërsa e ka kapur breshëria e plumbave. Dy nga 7 personat që mbetën të plagosur nga shkëmbimi i zjarrit mes tyre dhe janë dërguar në spitalin e Durrësit janë pjesë e dy bandave.

Po sipas të dhënave të parë kemi të bëjmë me një konflikt të hershëm mes dy grupeve, njëri prej të cilëve me rrezikshmëri të lartë me disa të skeduar më parë për konflikte dhe ngjarje kriminale.

Policia ka arrestuar dy persona, teksa njëri prej tyre dyshohet se ka qenë njëri nga autorët që ka qëlluar me armë zjarri. Ngjarja ka tronditur qytetin e Kavajës, pasi skena ka qenë e denjë për filma me përplasjen me armë zjarri në mes të ditës.

Shtatë persona janë plagosur me armë zjarri nga shkëmbimi i zjarrit sot në mes të ditës në Kavajë. Gjashtë nga të plagosurit janë dërguar në spitalin e Durrësit dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i shtati është transportuar në Tiranë në gjendje të rëndë. Sipas gazetarit Artur Korriku, nga informacionet e para mësohet se shtatë të plagosurit, ashtu si viktima nuk kishin lidhje me ngjarjen, pasi ishin kalimtarë të rastit.

Raportohet se numri i të plagosurve nga shkëmbimi i zjarri ka shkuar në shtatë, gjashtë nga të cilët mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.