Lugina nuk e përfill Kurtin: Paradite u tha t’i ndalin armiqësitë, pasdite shkarkuan kryetaren e Preshevës

Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, si duket nuk po i shkon edhe aq fjala kur është çështja te Lugina dhe kryetarët e atjeshëm, shkruan Gazeta Metro.

Sot në orët e hershme të mëngjesit ai takoi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanjoc.

Në këtë takim, Kurti pati disa mesazhe që ndërlidheshin me situatën atje.

Dje, tanimë ish kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, konfirmoi se po mblidheshin nënshkrime për shkarkimin e saj gjë që ndodhi sot, por Sinani tha se nuk mund të merrte pjesë në këtë seancë pasi kishte takim me Kurtin.

E në takimin e sotëm, Kurti tha se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë mos të kenë acarime ndërmjet tyre.

Por si duket këto fjalë nuk u përfillën nga disa parti atje, madje dy nga to refuzuan edhe pjesëmarrjen në këtë takim.

Sot gjatë ditës u njoftua shkarkimi i Ardita Sinanit, e këtë post e mori Shqiprim Arifi, që mungoi në këtë takim.

Në seancën e jashtëzakonshme Sinani u shkarkua me 20 vota për, e me votat e njëjta u zgjodh kryetar Shqiprim Arifi.