Lushtaku për dënimin e Mustafes: E rëndë, kjo vetëm drejtësi nuk është

Gjykata Speciale sot ka shpallur aktgjykimin për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Mustafa u dënua më 26 vjet burgim.

Lidhur me këtë dënim për Front Online ka folur ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Ai ka thënë se kjo vetëm drejtësi nuk është, deri a ka shtuar se as kriminelët serbë që kanë kryer krime nuk janë dënuar.

“Ajo vetëm drejtësi nuk është. Të dënohet njeriu me 26 vjet burg as kriminelët e luftës pra kriminelët serbë që kanë bërë luftë në Kroaci edhe në Bosnjë, por kjo është drejtësia e ndërkombëtarëve”, ka thënë Lushtaku, për Front Online.

Ai thotë se po e përjeton rëndë këtë vendim që e mori sot Specialja.

“Për mua është vendim shumë i rëndë. Është vendim i padrejtë, është vendim pa argumente, pa fakte, s’ki çka me thënë më”, ka shtuar Lushtaku.

Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.

Pas angazhimit të Smithit në një rast tjetër gjyqësor, Alex Ëhiting është në pozitën e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Specializuar.

Alex Whiting zëvëndëson Jack Smithin si Ushtrues Detyre i Prokurorit të Specializuar në Hagë

Prokuroria pati thënë se “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se kanë qenë pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në mbrojtje të Mustafës janë angazhuar: Julius von Bone, avokat, dhe Betim Shala, bashkëmbrojtës.