Lutfi Haziri tregon se a do të shkojë te Presidenti për konsultime

Gjatë kësaj jave presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do t’i ftojë krerët e partive politike në vend për të diskutuar rreth formimit të qeverisë së re, pas rrëzimit të asaj që drejtohet nga Albin Kurti.

Mirëpo, ende pa i dërguar këto ftesa, tashmë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të shkojë në konsultime me presidentin, pasi duan zgjedhje, meqë kështu e thotë Kushtetuta e Kosovës.

Ndërsa, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ende nuk dihet nëse do t’i përgjigjen ftesës së kreut të shtetit për të diskutuar rreth gjetjes së një zgjidhjeje për formimin e qeverisë së re, duke evituar mbajtjen e zgjedhjeve.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë për Gazetën Insajderi, se ai nuk do të merret me këtë proces.

Madje, ka theksuar se ai që e ka shkaktuar këtë krizë le të merret edhe me zgjidhjen e saj.

“Nuk merrem me këtë proces të ri unë”, ka thënë shkurt nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Mbrëmë zyra e presidentit bëri të ditur se ende nuk janë dërguar ftesat për liderët e partive politike për konsultime.

“Njoftimi nga Kuvendi ka ardhur të premten në fund të orarit të punës dhe për këtë ka qenë e pamundur që të ftohen për të hënën në konsultime përfaqësuesit e partive parlamentare. Ata do të ftohen nga presidenti në ditët e ardhshme për konsultime”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.