LVV: Vendimi i Komerciales për “Rrugën A”, pasojë e qasjes anti-ligjore të Përparim Ramës

Edhe Lëvizja Vetëvendosje qendra e Prishtinës ka reaguar pasi Gjykata Komerciale vendosi ndalimin e punimeve për “Rugën A”.

Përmes një reagimi në Facebook, LVV ka thënë se vendimi i sotëm i Komerciales është pasojë e “qasjes anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës”.

LVV thotë se edhe OJQ-të kanë shprehur dyshime në lidhje me procedurat për ndërtimin e kësaj rruge.

“Janë të freskëta reagimet e shumta që janë bërë nga organizata joqeveritare që përcjellin aktivitetet e prokurimit në Komunën e Prishtinës dhe mediat e vendit kur është shpallur fituesi i këtij projekti. Edhe ne si LVV, përmes asamblistëve tanë në Kuvendin Komunal, kemi shprehur dyshimet tona në lidhje me procedurat dhe kemi bërë thirrje për transarencë e zbatim të normave ligjore”.

LVV thotë se kjo nuk ishte masa e vetme që është marrë nga gjykatat për vendimet e kryetarit Përparim Rama në lidhje me rrugët e kryeqytetit.

“Vendimi i sotshëm i Gjykatës Komerciale është pasojë e qasjes së vazhdueshme anti-institucionale dhe anti-ligjore të ekzekutivit të Komunës së Prishtinës. Kujtojmë që edhe disa rrugë të tjera të qytetit, si shkak i vendimeve të jashtëligjshme të Kryetarit Rama, janë nën masën e sigurisë së gjykatave. Gjithashtu është inicuar kontest gjyqesor nga MAPL ndaj Komunes së Prishtinës për moszbatim të vlerësimeve ligjore siç parashihet me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Gjithandej nëpër matjet e të gjitha organizatave, Komuna e Prishtinës prinë për vendime e veprime të paligjshme”.

LVV ka thënë se etiketimi i gjyqtares së rastit nga kryetari Rama është veprim që duhet dënuar.

“Është për çdo kritikë dhe për t’u denuar reagimi i Kryetarit të Prishtinës në lidhje me këtë çështje. Etiketimi i gjyqtares së rastit dhe deklarimi se vendimi është politik e ka për qëllim bllokimin e projekteve në Prishtinë, është tendencë e Përparim Ramës për ta mbuluar dështimin e vet të pashmangshëm dhe tashmë evident”.

“Shpresojmë në trajtim të shpejt dhe të drejtë të çështjes meritore të rastit nga ana e Gjykatës Komerciale, në mënyrë që rruga A, si një projekt jetik i banorëve të asaj zone dhe i rëndësisë së veçantë për Kryeqytetin, të finalizohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve”.

LVV thotë se nuk është kundër zhvillimit të projekteve në kryeqytet.

“I gëzohemi dhe mbështesim çdo projekt që bëhet në Prishtinë e për Prishtinën, natyrisht gjithmonë duke respektuar rregullat dhe procedurat ligjore”, thuhet tutje në reagim.