Manastirliu: Masat nuk kanë synim gjobën! Kategoria që po përhap infeksionin

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, foli sot në parlament lidhur me masat që po merren për përballimin e situatës së koronavirusit.

Ajo deklaroi se vendimet merren për shëndetin e qytetarëve dhe janë të vlerësuar me synim uljen e zinxhirit të infeksionit.

Sipas saj, këto masa nuk janë për gjobën si qëllim, por si parandalim.

“Të rinjtë apo ata që frekuentojnë klubet e natës dhe diskot janë vlerësuar si përhapës të një zinxhiri infeksioni gjatë kësaj periudhe. Vetë shëndeti i tyre kompromentohet dhe bëhen vektorë të shpërndarjes së infeksionit te prindërit dhe të moshuarit”, u shpreh ministrja.

Manastirliu tha se po përgatiten për vjeshtën dhe dimrin, për të administruar situatën, që nëse do të vijohet të ketë neglizhim të zbatimit të masave, duhet të përgatitemi për rritje të infeksionit.

“Puna më e madhe është në territor me epidemiologët, jemi duke punuar për të fuqizuar skuadrat lëvizëse të Urgjenca në funksion të dhënies së shërbimit në banesë, e po ashtu për skuadrat rezervë për hapjen e Covid 3 dhe Covid 4 dhe po rrisim kapacitet e testimit”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë.