Manchester City është fitues i titullit në Premierë Ligë (video)

Futbollistët e Manchester Cityt kanë shënuar fitore në udhëtim kundër Brighton me rezultat 4 – 1, duke siguruar kështu titullin e ri të kampionatit anglez, raporton Fokusi.info.

Gara për kreun e tabelës ishte mjaft interesante në këtë sezon të Premier Ligës dhe titulli u vendos në xhiro e fundit.

Fillimisht, ishte skuadra vendase që kaloi në epërsi në minutën e 27-të, me golin e Glenn Murray për rezultatin 1 – 0.

Por, City reagoi shpejt dhe pas një minute barazoi rezultatin përmes Sergio Aguero në 1 -1. Kurse, golin e dytë City e shënoi përmes Aymeric Laporte në minutën e 38-të.

Në pjesën e dytë, të përzgjedhurit e Pep Guardiola sërish zhvilluan lojë ofensive, e cila iu shpagua në minutën 63-të, kur Riyad Mahrez shënoi edhe golin e tretë.

Ndërsa, golin e katërt e shënoi Ilkay Gundogan në minutën e 72-të.

Në anën tjetër, rivali kryesor i Cityt për titullin e kampionit, Liverpool shënoi fitore si vendës kundër Wolves me rezultat 2 – 0.

Manchester City përfundoi edicionin e sivjetmë të garave në Premier Ligë në vendin e parë me 98 pikë, duke fituar kështu për herë të katërt titullin e kampionit, të dytin radhazi, ndërsa Liverpuli mbetet i dyti me një pikë më pak.