“Mandati i Ekipit Menaxhues është aktiv dhe valid”, Petkoviq i reagon Kurtit

Duke folur sërish rreth shpërbërjes së Ekipit Menaxhues, gjë që u kontestua nga Bashkimi Evropian, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me prezantimin e Draft-Statutit për Asociacionin e Komuanve të banuara me shumicë serbe më 2 maj këtij ekipi i është shpenzuar “misioni dhe funksioni” që kishte.

Kësaj deklarate i ka reaguar drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili i kërkoi Kurti “të rilexojë” deklaratën e BE’së rreth kësaj çështje. Petkoviq shkruan se një vendim i tillë ishte “arbitrar, i njëanshëm dhe pa bazë ligjore” derisa vazhdoi të besojë se mandati i këtij Ekipi Menaxhues mbetet “valid dhe aktiv”.

Mes tjerash, zyrtari serb thotë se “fakti që Kurtit nuk i pëlqeu drafti i Asociacionit është problem personal i tij” dhe pretendoi se vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borrell, e mbështetë vazhdimësinë e mandatit të këtij Ekipi Menaxhues. “Prandaj, para se Kurti të vë në pikëpyetje funksionimit e Ekipit Menaxhues, le ta rinojë materialin dhe t’i rilexojë deklarimet e zëdhënësit të BE’së, Peter Stano, që Ekipi Menaxhues nuk mund të zëvendësohet njëanshëm, sepse janë pjesë e procesit të dialogut dhe për ta përbërja e këtij Ekipi është ende valid”, ka shkruar Petkoviq, siç e citoi “Danas”.

Petkoviq, mes tjerash, i referohet adresimit të Josep Borrell pas takimit të 2 majit, kur thotë se në raundin e fundit të dialogut BE do të vazhdojë të ftojë Ekipin Menaxhues për takime në Bruksel po qe se e kërkon nevoja.

“Përpjekje e Kurtit për të vënë në diskutim kompozitën dhe mandatin e Ekipit Menaxhues nuk janë asgjë më shumë se përpjekje e kotë për të blerë kohë, në mënyrë që t’i shmanget obligimit për themelimin e Asociacionit, por nuk do të ketë sukses. E vetmja gjë që Kurti bën është të mendojë telashe se si ta kollapsojë dialogut, pasi që nuk dëshiron formimin e Asociacionit. Por, sado i përkushtuar që ai është në këtë qëllim të tij, Beogradi dhe Aleksandar Vuçiq janë edhe më shumë të përkushtuar që ky Asociacion të themelohet”, ka thënë ai

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kësa të diele tha se “Ekipi menaxhues e ka përfunduar edhe misionin edhe funksionon e vet, andaj ne nuk kemi më arsye ta dëgjojmë ekipin menaxhues që çka pati për të thënë e tha në Bruksel më 2 maj. Edhe lirimi nga detyra është gjëja më e natyrshme dhe më e logjikshme”.

Çfarë ka thënë BE-ja?

Me shpërbërjen e Ekipit Menaxhues pala kosovare “shkeli germën dhe frymën e marrëveshjeve të Dialogut”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje me shkrim dërguar Nacionales. Madje Stano e quan “vendim të raportuar të Kosovës” duke lënë të kuptohet se nuk kanë pranuar një vendim të tillë në kuadër të dialogut të fascilituar nga BE. Zëdhënësi shprehet se ky Ekip Menaxhues “duhet të qëndrojë në vend” deri në miratimin përfundimtar të një statuti të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

“Në lidhje me vendimin të raportuar të Kosovës për të shpërbërë Ekipin Menaxhues, marrëveshjet në Dialog qartësisht thonë se Ekipi Menaxhues duhet të qëndrojë në vend deri kur të miratohet statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo nuk është ende rasti. Drafti i parë për statutin u paraqit nga Ekipi Menaxhues më 2 maj në Dialogun e Nivelit të Lartë, që tash nis procesin e negociatave. Prandaj, vendimi për të shpërbërë Ekipin Menaxhues shkel germën dhe frymën e marrëveshjeve të Dialogut. Për çfarëdo vendimi që ka të bëjë me Ekipin Menaxhues duhet të ketë pajtim brenda kornizës së Dialogut të Lehtësuar nga BE”, tha Stano.

Stano më tej tregon se në vijim Përfaqësusesi Special i BE’së i ngarkuar me çështje të dialogut, Miroslav Lajçak, do të ftojë kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, për të nisur negociatat mbi statutin e Asociacionit. E madje, ai thotë edhe se vetë Përfaqësues i Lartë Josep Borrell u ka thënë liderëve më 2 maj se nëse është e nevojshme do të ftohen edhe ata për t’u bërë pjesë e procesit të negociatave mbi statutin.

“Lehtësues i BE’së do të ftojë kryenegociatorët dhe ekspertët e tyre për të nisur mbi statutin. Presim nga të dyja Palët të angazhohen konstruktivisht dhe në frymë të mirë, dhe të konkludojnë negociatat shpejtë. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u ka thënë Palëve më 2 maj që të ftohen për të marrë pjesë në proces nëse është e nevojshme, gjë që do të përcaktohet nga Lehtësuesi i BE’së”, tha Stano për Nacionalen.