Manipulimet e Albin Kurtit rreth Listës Serbe

Para zgjedhjeve dhe gjatë fushatës Albin Kurti deklaronte pa pushim se kur të bëhet kryeministër nuk do ta marr Listën Serbe në qeveri, por këtë do ta zëvendësojë me ndonjë serb besnik ndaj shtetit të Kosovës.

Kjo për shumëkë dukej e pabesueshme, por jo edhe për ata që u ishte dedikuar parulla – militantëve të tij. Kjo, në anën tjetër, dihet se është e pamundur edhe ligjërisht në Kosovë. Këtë duket se tash e ka “kuptuar” dhe pranuar edhe vet kryeministri në ardhje, Albin Kurti. Ai tani po deklaron se do ta pranojë të zgjedhurin e Listës Serbe në qeverinë e tij, por nuk do të bëjë koalicioni me këtë listë.

Deri këtu, edhe pse ka populizëm, mosmbajtje të premtimeve, e kamuflim të veprimeve -akoma nuk ka manipulim.

Manipulimi qëndron në atë se prapa kësaj situate të ndërtuar artificialisht nga Albin Kurti fshihet fakti se kryeministri i ardhshëm po u rezervon dy vende në qeverinë e tij për minoritetet ashtu siç e kërkonte Pakoja e Ahtisarit, në të vërtetë Kushtetuta që ka derivuar nga kjo pako. E të gjithë e dimë se çfarë qëndrim ka mbajtur Albin Kurti për më tepër se një dekadë ndaj Pakos së Ahtisarit e Kushtetutës së ndërtuar në bazë të kësaj pakoje. Dhe jo vetëm qëndrim, por edhe përplasje, me dy të vrarë madje – Mon Balaj e Arben Xheladini./Fokusi.info/