Manxhuka kërcënon mediat për publikim të punësimeve në KEK

Sekretari për Media dhe Komunikim në Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, thotë se partia në pushtet nuk është e përfshirë në punësimin e 128 personave në KEK shumica nga ta familjarë të funksionarëve të VV-së dhe militantë të Vetëvendosjes.

Manxhuka është arsyetuar se asnjë zyrtar i VV-së nuk e ka askënd të punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës në procesin rekrutues të kësaj ndërmarrje.

Ai madje i ka quajtur shpifje raportimet e mediave shpifje dhe paralajmëroi padi.

“Lëvizja njofton opinionin publik se nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike. Asnjë zyrtar i LV-së nuk e ka askënd aty dhe ato që janë publikuar janë shpifje për të cilat janë bërë ankesat dhe do të bëhen paditë përkatëse ditëve në vijim”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë inicoi hetime për shkeljet e dyshuar në procesin rekrutues të 128 punëtorëve në KEK.

“Pas raportimeve të publikuara në disa portale lidhur me pretendimet se janë kryer shkelje të rënda ligjore në procesin e rekrutimit të qindra personave në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), më 04.04.2022, ka iniciuar hetime, ashtu që do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të këtyre pretendimeve, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Prokurorisë

Sot LDK ka dorëzuar Kallëzim ndaj kryesuesve dhe anëtarëve të komisionit të këtij konkursi publik dhe ndaj menaxhmentit të KEK-ut.

Në konkursin e KEK-ut kanë aplikuar 4668 persona, 128 nga ta janë pranuar shumica familjarë dhe të afërm të Vetëvendosjes.