Maqedonci për avancimin e Kosovës në NATO: Një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit tonë si shtet

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha Kosova pas pranimit si shtet i asociuar në NATO, është një hap më afër të qëllimit si shtet i pacenueshëm për Ballkan stabil.

“24 marsi i vitit 1999 shënoi një momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur, gjersa sot me këtë vendim të NATO-s jemi edhe një hap më afër drejt përmbushjes së qëllimit tonë si shtet i pacënueshëm e për Ballkan stabil”, shkroi ai.

“Intervenimi i NATO-s i 24 marsit të vitit 1999 nuk kishte si të mos ndodhte pasi ishte e vetmja formë që do të mund t’i jepte fund spastrimit etnik të Kosovës, të ndërpriste vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimet sistematike, përndjekjet, djegiet e dëbimet me dhunë dhe me forcë, prandaj 24 marsi është rreshtim jo vetëm me popullin e Kosovën por rreshtim edhe me anën e duhur të historisë së njerëzimit si veprim në mbështetje të vlerave të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë”, shtoi ministri në Facebook.

Maqedonci tutje tha se është për keqardhje se si Serbia edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës nuk kërkon falje dhe as nuk ndjen keqardhje për gjenocidin e kryer në Kosovë.

“Arkivat shtetërore nuk u hapën kurrë, ndërsa ekzekutorët e krimeve të shtetit serb vazhdojnë të enden të lirë”, u shpreh i pari i Ministrisë së Mbrojtjes.