Marrëveshja Rusi-Ukrainë për grurin, takimi në Stamboll

Një marrëveshje e rëndësishme mes Ukrainës dhe Rusisë nënshkruhet ditën e sotme në Stamboll, një marrëveshje e cila do t’i jap fund bllokimit të grurit në portet e Detit të Zi çka do të ndikojë në çmimet botërore të ushqimeve si dhe do të lehtësojë krizën ushqimore.

Kjo është shenja e parë e dialogut mes dy shteteve që janë në luftë. Akordi u arrit me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së

“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të kemi një marrëveshje që do të lejonte ushqimin dhe plehrat ukrainase dhe ruse të arrijnë tregjet globale. Siç e dini, ne kemi vënë në dukje për shumë muaj se sa serioze është kriza ushqimore në mbarë botën, kështu që ne mund ta zgjidhim këtë”, u shpreh Fahran Haq zëdhënës i OKB-së .

Në ceremoninë nënshkrimit të marrëveshjes do të jenë presidenti turk Erdogan dhe Kreu i OKB Antonio Guterres.

Departamenti amerikan i shtetit përshëndeti marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja, por kishte rezerva ndaj Moskës.

“Deri më sot Rusia ka ushqyer konfliktin. Ata kanë shkatërruar objektet bujqësore, kanë penguar miliona tonë drithë ukrainas që të arrijnë tek ata që kanë nevojë. Ne e mirëpresim arritjen e Marrëveshjes. Por ajo në të cilën po fokusohemi është nëse Rusia do të jetë përgjegjëse për zbatimin e saj dhe për të mundësuar drithin ukrainas të dalë në tregjet botërore,” theksoi Ned Price zëdhënës i DASH.

Marrëveshja parashikon që:

  • Ukraina të drejtojë anijet me grurë brenda dhe jashtë nëpër ujërat e portit të minuar;
  • Rusia pranon një armëpushim ndërsa dërgesat lëvizin;
  • Turqia inspekton për të zbutur frikën ruse për kontrabandën e armëve.

Marrëveshja synon gjithashtu të lehtësojë eksportet ruse të grurit dhe plehrave përmes Detit të Zi.