Masakra e Rezallës, dëshmi e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve

Fillimisht forcat serbe i grumbullim qindra civilë nga fshati Rezalllë e përreth, ndërsa më pas një pjesë e përndoqën në rrugë pa krye ndërsa mbi 90 civilëve i ekzekutuan përnjëherë. Më pas një numër të caktuar të të masakruarve, disa javë më vonë aparati shtetëror i Serbisë i zhvarrosi dhe i dërgoi në Serbi. Kjo është historia që tregojnë ata që ishin në kolonën e vdekjes, e nga e cila shumë familjarë të tyre nuk dolën kurrë të gjallë.

Ceremonia e rivarrimit të nëntë viktimave të masakrës së fshatit Rezallë, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak dhe Rudnicë të Serbisë.
Më 5 prill 1999 fshati Rezallë ishte kthyer në kamp-përqendrimi.

Qindra në mos mijëra civilë të kësaj zone, rreth orës 11:00 u detyruan t’i lëshojnë shtëpitë e t’i bashkohen kolonës së vdekjes. Zona u blindua me mjete të rënda madje edhe tanke.

Ushtarë, policë e paramilitarë serbë nën kërcënimin e armëve, e me thikë në fyt i grumbulluan në oborrin dhe fushat rreth kësaj shtëpie.

“Neve rreth orës 17:00 na thanë qohuni në këmbë, ne u ngritëm. Nisën me u çu edhe burrat thanë jo jo meshkujt me u nal, edhe ata përsëri u ulën”, ka thënë Hasime Zabeli, e mbijetuar e masakrës.

Hasime Zabeli me qindra gra, pleq e fëmijë dhunshëm u detyruan të ecin pa e ditur ku po i çojnë forcat serbe, e duke e lënë pas një pjesë të familjes.

“I dhezën kamionat, tanket, traktorat që i marrshin këtu i dhezën i jepshin gas sa që mujshin për me humbë gjurmë sigurisht edhe kur na jemi dal nuk ka qenë as 100 metra jemi nda prej tyre, ka qenë pak si kthesë e nuk i kemi pa, po krejt i kemi dëgju kur i kanë pushkatu, njëherë kanë bo rafalla sa kanë mujt”, ka thënë ajo.

Saktësisht në këtë vend mbi 90 civilë u renditën në një rend të gjatë. Nga rruga kryesore mitralozi nisi shkrepjen. Të gjithë u pushkatuan, e këto pamje të këtyre drunjve tregojnë plumbat që u shkrepën e kalibrin e tyre. Në vendin ku i ekzekutuan, makineria serbe varrosi provat e krimit përkohësisht.

Hazime Zabeli tregon se përsëri e vazhduan rrugëtimin. Deri në Drenas, civilët u rrahën brutalisht, e u lanë në rrugë ku e kaluan natën. Krahas vuajtjeve nga torturat, Hasimja thotë se mendjen e kishin tek pjesa tjetër e familjes, duke mos e ditur a janë gjallë a të vdekur.

Disa javë pas ekzekutimit, shteti i Serbisë i zhvarrosi trupat. 36 u transportuan dhe u dërguan për në varrezat masive në Serbi.

“Me të thanë të drejtën na vijshim qitu te varrezat veç vijshim e ktheheshim e nuk kishim kanë me ngushëllu a kanë”, ka treguar tutje ajo.

Edhe Florie Beka për disa vite nuk ka mundur të vendosë lule mbi varrin e babait.

“Me u varros e me u zhvarros e me i bajt anej e knej trupat e vdekur veç ata, se sdi kush mundet me e bo këtë punë”, është shprehur Beka.

Zonja Hasime dhe Zonja Florie u deshtë të presin edhe një dekadë që t’i gjejnë eshtrat e baballarëve. Fundi i një pjesë të vuajtjes së tyre morri fund pas gërmimeve në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës.

“Gërmimet vazhduan gjatë vitit 2014, në muajt maj qershor, dhe nga këto gërmime u zhvarrosën mbetjet mortore ose pjesët kockore, eshtrat e 54 viktimave, nga këto 54 viktima 29 viktima ishin pikërisht viktima të masakrës së Rezallës”, ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit.

Tek pas gërmimeve në nëntor të 2020 dhe përgjatë 2021, kryetari i Komisioni qeveritar për të pagjeturit tregon se në Kizhevak të Rashkës u gjet pjesa tjetër e të zhdukurve në Rezallë.

Përgjatë këtyre ditëve u pushkatuan 98 djem e burra, banorë të fshatit Rezallë dhe të fshatrave përreth.

Në 24 vjetorin e kësaj masakre duke u zotuar se nuk do të rreshtin së kërkuari drejtësi, presidentja Vjosa Osmani i ka përkujtuar viktimat duke thënë se janë dëshmi për planifikimin shtetëror të Serbisë për shfarosjen e civilëve shqiptarë./Dukagjini/