Masakra me 500 të vrarë në spitalin e Gazës, reagime të ashpra kundër Izraelit. Abu Mazen anulon takimin me Biden

Mbrëmjen e së martës së 17 tetorit, një shpërthim shkatërroi një pjesë të spitalit Al-Ahli në qytetin e Gazës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të qeverisë së Rripit të Gazës, e udhëhequr nga Hamasi, të vdekurit janë mbi 500, por numri i saktë i viktimave po përditësohet vazhdimisht. Sipas Hamasit, shpërthimi është shkaktuar nga një sulm izraelit.

Ndërsa ushtria izraelite nuk ka konfirmuar se ka nisur ndonjë sulm ndaj spitalit dhe njofton “një hetim për të sqaruar detajet” e asaj që ndodhi.

Sipas “i24Neës”, një faqe interneti izraelite, një “hetim fillestar” nga ushtria izraelite vërtetoi se shpërthimi ishte për shkak të një lëshimi të dështuar të raketës nga Hamasi.

Megjithatë, për momentin nuk ka qëndrime zyrtare për çështjen e ushtrisë.

Fotot dhe videot e para që mbërrijnë nga spitali tregojnë skena të tmerrshme, me qindra trupa të shtrirë në tokë, të ndriçuar nga pishtarët në natën e errët të Rripit të Gazës, i cili prej ditësh ka mbetur pa energji elektrike.

Presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Abu Mazen shpalli zi kombëtare treditore, duke folur për “gjenocid” dhe një “katastrofë humanitare” dhe anuloi takimin me presidentin amerikan Joe Biden të parashikuar për nesër.

Egjipti, një vend në kufi me Rripin e Gazës, “ka denoncuar në termat më të fortë sulmin izraelit ndaj spitalit në Gaza, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë urgjentisht për t’i dhënë fund çdo shkeljeje të mëtejshme të ligjit”. Edhe Jordania dënoi “sulmin izraelit” në spital.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, duke iu përgjigjur një pyetjeje, tha se “nuk është e pranueshme të godasësh një spital” dhe se ajo që ndodhi ishte “e tmerrshme dhe absolutisht e papranueshme”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e ka dënuar ashpër sulmin. “Të godasësh një spital me gra, fëmijë dhe civilë të pafajshëm është shembulli i fundit i sulmeve izraelite pa vlerat më themelore njerëzore. I bëj thirrje gjithë njerëzimit të ndërmarrë veprime për të ndaluar këtë brutalitet të paprecedentë në Gaza”, shkruan në “X” presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan

Edhe presidenti i Këshillit të Europës Charles Michel ka dënuar sulmin, duke thënë se “nuk është në linjë të drejtën ndërkombëtare”.