Masat vazhdojnë të jenë të njëjta, Gastronomët paralajmërojnë protestë “me një vaksinë s’çel vera”

0
109

Që nga marsi i vitit të kaluar, Kosova vazhdon të përballet me situatën e krijuar si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19.

Tani kur janë 4 mijë e 218 raste aktive me COVID-19 dhe në vend janë vaksinuar vetëm 50 mijë e 176 qytetarë, nga Shoqata e Gastronomëve vazhdojnë të kërkojnë lirimin e masave.

Duhet përkujtuar që nga ora 22:00 lokalet anembanë vendit obligohen të mbyllen ndërsa deri në këtë kohë kërkohet respektim i distancës brenda lokaleve.

Përpos kësaj me fillim nga ora 22:30 deri në ora 05:00 të mëngjesit ndalohet qarkullimi anembanë vendit.

Edhe pse ka kaluar një kohë mjaftë e gjatë që nga vendimi për marrjen e këtyre masave duket se të njëjtat nuk do të ndryshojnë.

E nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës të martën pritet të mbahet një protestë në sheshin ‘Skënderbeu’ saktësisht para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Protesta nis në ora 18:00 dhe të njëjtit e kanë quajtur “Event pakënaqësie” teksa thonë se me një vaksinë s’qel vera.

Duhet përkujtuar që së fundi në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës pati një kërkesë edhe për hapjen e sallave të dasmave si dhe lejimin e mbajtjes së eventeve të natës, apo ‘night club’, duke i lënë diskotekat hapur në ambiente të jashtme.

Por në një përgjigje të dhënë më parë nga Ministria e Shëndetësisë për lajmi.net u theksua se masat vazhdojnë të jenë të njëjta dhe se nuk ka ndryshime në këtë aspekt.

“Sa u përket masave, tash për tash janë në fuqi masat e ndërmarra më herët nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe për çfarëdo ndryshimi eventual të tyre, për to do të njoftohen paraprakisht qytetarët”, u tha në përgjigje.