MASHT diskuton nesër për mbajtjen ose jo të testeve të arritshmërisë dhe maturës

Për shkak të shtimit të numrit të rasteve me COVID-19, Ministria e Arsimit në koordinim me drejtoritë komunale dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pritet që këtë javë të vendosë nëse do të mund të organizohen testi i arritshmërisë dhe ai i maturës apo të hiqen fare.

Testi i arritshmërisë për klasat e 9-ta është paraparë të mbahet më 23 qershor, kurse ai i maturës për klasat e 12-ta më 4 korrik.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në një përgjigje me shkrim për KOHËN ka thënë se vendimi do të merret në bazë të praktikave të vendeve të tjera, por nuk ka dhënë shumë detaje.

“Nesër kemi takim me DKA-të, Drejtoritë e MASH, divizionet përgjegjëse të MASH dhe bazuar në mendimet e ekspertëve të IKSHP-së dhe praktikave të vendeve të regjionit dhe BE-së, do të marrim vendim. Shëndeti i fëmijëve, nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë qytetarëve është parësor”, thuhet në përgjigjen e tij.

Nga ana tjetër, në Këshillin e Prindërve të Kosovës po kërkojnë që Ministria t’i konsultojë paraprakisht rreth vendimit që do ta marrë.

Sipas kryetarit të këtij këshilli, Ymret Reshiti, duhet të shqyrtohet mundësia që testi i arritshmërisë dhe ai maturës këtë vit të hiqen ose mbajtja e tyre të shtyhet për një periudhë tjetër.

E sipas Rinor Qehajës nga Instituti “Edguard”, mbajtja e këtyre testeve është e pashmangshme pasi siç thotë realizimin e tyre e parashohin edhe ligjet në fuqi.

Ministria e Arsimit kishte vendosur që klasat e 9-ta dhe të 12-ta të mbajnë nga 2 javë mësim plotësues për t’u përgatitur për testin e arritshmërisë dhe atë të maturës.

Mirëpo, dy ditë më parë ky institucion ka vendosur që mësimi plotësues për këto klasë të vazhdojë vetëm online për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus.

Në bazë të një udhëzuesi, MASH-i kishte paraparë që gjatë realizimit të këtij procesi, në klasë të lejohen nga vetëm 15 nxënës, të respektohet distanca deri në 2 metra si dhe të gjithë të jenë të pajisur me maska e dorëza. Po ashtu, ishte paraparë të bëhet dezinfektimi i shkollave dhe në çdo klasë ku mbahet testi të këtë dezinfektues për duar.