MASHT-i vazhdon punësimin e anëtarëve të Nismës

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk është duke i ndalur punësimet partiake në këtë institucion.

MASHT-i së fundi ka hapur konkurse për disa pozita me lloje të kontratave “Marrëveshje për shërbime të veçanta” apo (kontratë mbi vepër). Shumica e të pranuarve janë anëtarë të partisë Nisma, nga vjen edhe ministri në largim Shyqiri Bytyqi, shkruan sot Koha Ditore.

MASHT-i njëkohësisht është përkujdesur që personat të cilët i ka angazhuar më parë e që janë pjesë e Nismës t’ua vazhdojë kontratat edhe për 6 muaj.

Zyrtarë të kësaj ministrie nuk janë përgjigjur për gazetën në lidhje me punësimin e anëtarëve të kësaj partie dhe me vazhdimin e kontratave mbi vepër. Gazeta i ka vendimet e punësimeve në këtë ministri.

Deputetë të opozitës i kanë bërë thirrje MASHT-it që t’i ndalë punësimet partiake dhe të mos e dëmtojë më shumë buxhetin e shtetit. E në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil (KPMSHCK) kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit të mos i vazhdojë kontratat mbi vepër, pasi, sipas KPMSHCK-së, ky veprim është i jashtëligjshëm.

Më 13 gusht, si zyrtare për verifikimin e diplomave në Divizionin për njohje/ barasvlerë dhe informim akademik, MASHT-i e ka pranuar kryetaren e gruas së Nismës në nëndegën në Prishtinë-lagjja “Sofali”, Erëmirë Redenica, shkruan sot Koha Ditore.