MASHT – korrupsion dhe jo transparencë në përzgjedhjen e teksteve shkollore

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës ende mësojnë me tekstet shkollore të përpiluara në vitet e para të pasluftës. Tani jemi në vitin 2019.

Vetëm me faktin se kemi pasur qeverisje të ngathta dhe me korrupsion shpjegohet vonesa në nxjerrjen e teksteve të reja shkollore. Më në fund më 26 prill 2018, nga ana e MASHT-it është shpallur konkursi për tekstet shkollore të klasave 0, 1, 6 dhe 10; dhe më 31 gusht 2018 është shpallur konkursi i dytë për klasat 2, 7 dhe 11, me qëllim që nxënësit në vitin shkollor 2019/2020 t’i kenë në dorë tekstet e reja për këto klasë.

Ligji aktual për tekstet shkollore, në bazë të të cilit janë shpallur këto dy konkurse është ligj i cili favorizon shumë korrupsionin. Dhe kjo garniturë udhëheqëse e MASHT-it (ministri me këshilltarët e tij) e shfrytëzoi këtë në maksimum. Kemi të bëjmë me konkursin për përzgjedhjen e teksteve shkollore me të cilat do të mësojnë fëmijët tanë për një kohë relativisht të gjatë.

Nga burime të shumta merret vesh se në të gjitha fazat e implementimit të këtyre konkurseve ka pasur parregullsi të mëdha. Sikurse merret vesh nga një anëtar i Komisionit të ekspertëve për plan-programe dhe tekste shkollore, KEPTSH (organ i MASHT-it) dhe nga burime tjera, fazat ma kritike ku janë shfaqur parregullsitë më të mëdha janë këto që do t’i theksojmë në vijim.

KEPTSH-i (organ i MASHT-it) është mbipopulluar dhe mbizotëruar nga këshilltarët e ministrit. Pra, përzgjedhjen e teksteve shkollore e kanë bërë këshilltarët e ministrit të MASHT-it. Përzgjedhja e recensentëve është bërë me preferencë të një pale në konkurs (të një shtëpie botuese).

Nga “rezultati preliminar” i shpallur nga MASHT-i në faqen zyrtare nuk është vështirë të përfundohet se kjo shtëpi botuese është “Dukagjini” që i fitoi tekstet me shumicë dërrmuese.

Të theksojmë se në konkurrencë kanë qenë mbi 10 shtëpi botuese. Transparenca e gjithë procesit ka qenë zero. Mjafton të shihet se si është shpallur “rezultati preliminar” më 14 maj të këtij viti – ku mungon organi kompetent që ka shpallur rezultatin, mungon data, mungon personi përgjegjës, mungon nënshkrimi, mungon vula.

Çka është më e rëndësishme për palët që nuk kanë fituar, mungon “këshilla juridike për ankesë”, mungon adresa dhe afati i ankesës. Madje edhe ky “rezultat preliminar” është larguar nga faqja e MASHT-it pas 3 ditësh. Shkelje drastike, e cila ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e përzgjedhjes është vonesa në të gjitha fazat e shqyrtimit të konkursit, të cilat vonesa do ta zhvlerësojnë institucionin e ankesës, sepse doemos, tani MASHT-i nuk ka kohë që në mënyrë transparente të mbrojë përzgjedhjen që ka bërë, në njërën anë dhe në anën tjetër, nuk ka kohë për aktivitetin që do t’i bindë në mënyrë meritore (me shpjegime pikë për pikë të standardeve të kërkuara) shtëpitë botuese dorëshkrimet e të cilave janë eliminuar.

Të theksojmë edhe faktin se nga KEPTSH-i brenda periudhës së shqyrtimit të konkurseve kanë dhënë dorëheqje së paku 5 anëtarë, të cilët nuk janë pajtuar me mënyrën e qeverisjes së konkursit dhe vendet e të cilëve ose kanë mbetur bosh, ose janë plotësuar me këshilltarë të ministri. Zgjidhja më e mirë, e propozuar edhe nga një anëtar i KEPTSH-it, i cili dha dorëheqje, do të ishte që procesi i vlerësimit të dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këto dy konkurse të kthehej në pikën zero dhe me një proces të përshpejtuar të zgjedhën komisione të reja të recensentëve dhe të bëhet një vlerësim i ri.

Ndërsa Qeveria dhe Kuvendi duhet që urgjentisht ta ndryshojnë ligjin për tekstet shkollore të vitit 2006 me një ligj i cili do të rrëzonte monopolizimin e teksteve shkollor, me çka edhe do të eliminohej një parakusht për korrupsion në procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore. Kjo, sipas Fokusit, është shumë e rëndësishme, kur dihet se bëhet fjalë për tekstet nga të cilat do të mësojnë mbi 400 mijë nxënës për disa vite me radhë./Fokusi.info/