Kërcet grushti në një familje në Lipjan, kunatat bëhen llom mes vete

Ndër telashet më të shpeshta në familjet kosovare, janë ato ku përfshihen kunatat. Mosmarrëveshjet mes tyre shpesh herë përcillen me ofendime, të shara e kërcënime, por në shumë raste eskalojnë edhe në dhunë fizike ndaj njëra-tjetrës.

Kështu ka ndodhur edhe në një familje në fshatin Mirenë të Lipjanit, ku dy kunata janë rrahur mes vete pas një konflikti verbal.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se si pasojë e dhunës, dy të dyshuarat kanë pësuar lëndime trupore, për çka edhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Si rezultat i denoncimit të rastit në Polici, 26 dhe 20-vjeçarja kanë përfunduar në pranga dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarave t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtat do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.