“Maskohej” si polic dhe mashtronte qytetarët, arrestohet 43-vjeçari në Kuçovë

Mbrëmjen e sotme, një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, gjatë një aksioni në Kuçovë.

Bëhet fjalë për shtetasin Ismet Hada, i cili është prangosur në flagrancë, i veshur me uniformën e policisë, me të cilën kishte bërë “kërdinë” në qytetin e Kuçovës dhe në fshat.

Duke u prezantuar si punonjës policie, 43-vjeçari Hada, ka mashtruar shumë persona në qytetin e Kuçovës dhe fshatin Lapardha dhe u ka premtuar atyre shërbime kundrejt shpërblimit, shkruan abcnews.al

Pas kryerjes së veprimeve proceduriale nga ana e Komisariatit të Policisë Kuçovë, materialet në ngarkim të tij kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat. 43-vjeçari Ismet Hada, nga fshati Mbrakull, akuzohet për veprat penale “Vjedhje me anë të mashtrimit” dhe “Përvetësim i titullit të punonjësit të policisë”.