Hoxhaj: Nëse “Zajednica” e Kurtit çohet në Kushtetuese, a çohen ata që kanë vdekë për “Zajednicën”

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se debati i nënshkrimit apo mos-nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me Serbinë, është që t’i iket Gjykatës Kushtetuese.

“Ky nuk dëshiron me dërgu atje, juve ju thotë që dëshiron të dërgojë. Dëshiron të jetë marrëveshje ndërkombëtare e cila nuk ka nevojë me shku në Gjykatë Kushtetuese. Ky është triki i nënshkrimit të marrëveshjes”, tha Hoxhaj në seancë, raporton Klankosova.tv.

“Sot thotë do ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese, e nëse dërgohet, a çohen ata që kanë vdekë për ‘Zajednicën’”, shtoi deputeti nga radhët e PDK-së.

Hoxhaj, në fjalën e tij tha se mesazhi që dha sot kryeministri është se do që ta mbajë të fshehtë marrëveshjen.

“Mesazhi që morëm sot nga kryeministri Kurti është se e ka pranuar marrëveshjen dhe do ta mbajë të fshehtë. A e keni menduar ju ndonjëherë se Albib Kurti sa ishte në opozitë ishte i parimeve dhe idealeve, dhe tani përfundon në një situatë ku është i fshehtë, dinak, idhnak, manipulues, dhe për t’ju vendosur hi syve qytetarëve të Kosovës. Këto janë taktika të manipulimit”, tha Hoxhaj.

“Nëse ky (Kurti) do të ishte burrështetas, sot do të thoshte ‘ja e kam sjell draftin, shiheni draftin dhe lexojeni para se të shkojë në Gjykatë Kushtetuese’. Do të duhej të thoshte se është i interesuar për konsensus të brendshëm politik, dhe me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh tutje ish-ministri i jashtëm Envet Hoxhaj.

Hoxhaj tha se Kurti i ka thanë “Po” një dokumenti “pa negociuar, pa përfitim për Kosovën dhe pa asnjë kusht”.

“Sot në Kuvend nuk e kemi vetëm një situatë të një mungese flagrante të transparencës që nuk e dimë se çka ka pranuar, sot e kemi një situatë të një mungese flagrante të përgjegjësisë publike për fjalën e dhënë dhe për veprat e bëra”.

“Na shpjego kryeministër, se ju thatë që nuk është ‘Zajednicë’, tash na trego a është autonomi ajo që e ke nënshkruar?”, u shpreh Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së.

“Albin Kurti e ka përmbysë Ahtisarin në veri dhe tani mbi përmbysjen po e ndërton një autonomi. Sa t’i besojnë qytetarët e Kosovës fantazive politike të Albin Kurtit, ne do të flasim edhe më 2030 për temat e njëjta”, tha Hoxhaj para deputetëve në Kuvend.

Debati i sotëm në Kuvend po zhvillohet për dialogun e Brukselit, gjegjësisht për takimin e fundit të Kurtit në Bruksel, më 26 tetor, me treshen evropiane.