Mbahet akademi përkujtimore në nderim të ish të burgosurit politik dhe veteranit të luftës së UÇK-së, Sabit Krasniqi

Përmes një akademie përkujtimore, është kujtuar sot në dyvjetorin e vdekjes ish-i burgosuri politik, njëherësh ish-anëtari i organeve drejtuese të OVL-UÇK-së, Sabit Krasniqi. Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë familjarë, miq, e bashkëudhëtarë të luftës gjatë kohës së regjimit serb, të cilët nderuan jetën dhe veprën e tij.

Për biografinë e Sabit Krasniqit foli Flamur Shala. Ai tha se në vitet e 90-ta, Krasniqi ishte në radhët e djemëve dhe vajzave të organizuar në përmasa të gjera, në kohën kur shteti po ndalonte shumëçka nga jeta shoqërore, arsimore e kulturore.

Shala tha se Krasniqi, si pjesëtar i UÇK-së, dha kontribut të pashlyeshëm në zonën operative të Gollakut.

“Nga viti 1989, regjimi policor i Beogradit në Kosovë u përpoq të ngulfas jetën shqiptare në Kosovë. ‘E pamundshme, duhet të qëndrojmë’, thoshte Sabit Krasniqi me shokë. Sabit Krasniqi u bë pjesëtar i UÇK-së për të dhënë kontributin e tij të pashlyeshëm në zonën operative të Llapit në regjionin e Gollakut. Ai nuk ndaloi së vepruari derisa u plagos rëndë. Ishte dhe mbeti i bindur se ato ishin plagë lufte për liri që s’do të shuhet kurrë më”, tha ai.

Para të pranishmëve të shumtë, Krasniqi u përshkrua si njeri i fjalës dhe besës.

Shoku pjesëvjeçar i burgut, Skënder Haradinaj bëri të ditur se me Krasniqin ishin takuar në burgun e Focës në moshën 26-27 vjeçare dhe i kishin përballuar së bashku të gjitha torturat e maltretimet e asaj kohe.

“Si i ri ishte kyçur në grupe të studentëve për organizimin e demonstratave e 11 marsit të vitit 1981, për çka u arrestua, u hetua dhe u dënua me shumë vite burg, sepse kërkonte të drejtat e barabarta me popujt tjerë të ish-Jugosllavisë. Në burgun e Focës jemi takuar në moshën 26-27 vjeçare. Vlershmëria dhe uniteti i ynë na ka bërë të fortë dhe kemi përballuar të gjitha torturat, provokimet dhe maltretimet e asaj kohe. Me Sabitin në një dhomë kemi fjetur, në krevate shumë të afërta, gjithnjë kemi ngrënë në të njëjtën tavolinë”, tha ai, përcjell teve1.info

Ndërsa, bashkëpartiaku i “Lëvizjes për Bashkim”, Valon Murati theksoi se “Bali Bit”, siç e quanin të gjithë, ishte i dashur dhe dinte në çdo situatë të krijonte atmosferë.

“Bali Bit ishte i urtë në fjalë, në veprime e në qasje ndaj atyre që e rrethonin. Por ai ishte edhe shkëmb i fortë, sepse nuk pati furtunë jete që e rrëzoi, e sidomos ato fortunat që lidheshin me përpjekjet për luftën në liri. Sabit Kransiqi, i ynë Bali Bit, një jetë të tërë ishte në shërbim të atdheut, lirisë së tij e idealit të bashkimit kombëtar”, tha Murati.

E veprimtari Hydajet Hyseni tha se vepra e Sabit Krasniqit do të mbetet përgjithmonë, si zyrtar i pakursyeshëm në shtetformimin e Kosovës.

“Sot na ka bashkuar Sabit Krasniqi, na ka bashkuar emri dhe vepra e tij. Na ka bashkuar me përkujtimin e parë por jo të fundit të tij. Personalitete si Sabit Krasniqi meritojnë shumë më shumë. Sabit Krasniqi ishte ndër ata që s’dorëzoheshin lehtë, megjithatë mbeti vepra e tij dhe do të mbetet përgjithmonë”, theksoi ai.

Sabit Krasniqi u lind në vitin 1955 në fshatin Grashticë të Prishtinës. Një jetë të tërë ishte në shërbim të atdheut, ish i burgosur politik që në vitet e 80-ta, invalid lufte dhe për disa vite anëtar i organeve drejtuese të OVL UÇK-së dega – Prishtinë dhe selia qendrore. Ai po ashtu për një kohë shërbeu edhe si këshilltar politik në Ministrinë e Diasporës. Krasniqi vdiq më 17 tetor 2020, si pasojë e infektimit nga virusi COVID-19. /Teve1.info/