Mbërrijnë në Rinas edhe 11.700 doza të vaksinave Pfizer

Pak minuta më parë kanë mbërritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 11 mijë e 700 doza të vaksinave anti-COVID të kompanisë amerikane “Pfizer”. Lajmin e ka njoftuar me anë të një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, i cili gjithashtu bën me dije se me këtë dërgesë numri total i vaksinave të importuara arrin në 911 mijë.

Kjo dërgesë është pjesë e instrumentit ndërkombëtar të dhurimit të vaksinave COVAX. Objektivi i qeverisë është që brenda muajit qershor të jenë vaksinuar 1 milion qytetarë.

Procesi i vaksinimit masiv deri tani ka përfshirë të moshuarit mbi 60 vjeç, mjekët, infermierët, mësuesit, pedagogët, efektivët e policisë, punonjësit e sektorit turistik, punonjësit e transportit publik, punonjësit e shërbimit taksi, farmacistët dhe grupe të tjera profesionistësh të rrezikuar, çka ka mundësuar rikthimin normal të sezonit turistik, hapjen e plotë të kufijve të Shqipërisë dhe lehtësimin e masave anti-COVID.

Pritet që së shpejti fasha e moshës të qytetarëve që kanë të drejtë vaksinimi do të ulet.