Mbështetësi i VV’së, i cili është i dënuar me burg, zgjedhet dekan në Universitetin ‘Haxhi Zeka’

Në vazhdën e zgjedhjeve të brendshme që po ndodhin në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” sot janë zgjedhur dekanët e fakulteteve.

Në Fakultetin Juridik për dekan është zgjedhur Avdullah Robaj, i dënuar nga Gjykatën Themelore e Pejës për veprën e keqpërdorimit të detyrës apo autorizimit zyrtar, e kryer në bashkëveprim.

Në vitin 2012, Robaj ishte akuzuar nga Prokuroria e Shtetit, se në bashkëveprim me gjyqtarin në Gjykatën Komunale në Klinë Kolë Puka, në mënyrë të kundërligjshme, kishin dëmtuar katër persona, kanë përfituar 71 000 euro.

Për këtë vepër në vitin 2013-të, Robaj bashkë me gjyqtarin e Gjykatës Komunale të Klinës Kolë Puka, ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës, nga një trup gjykues i përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një gjyqtari kosovar, dhe i kryesuar prej një gjyqtari të EULEX-it, për veprën e keqpërdorimit të detyrës apo autorizimit zyrtar, e kryer në bashkëveprim.

“Trupi gjykues vendosi se kishte dëshmi të mjaftueshme për t’u siguruar se të pandehurit kishin marrë pjesë bashkërisht në një procedurë të paligjshme në Gjykatën Komunale të Klinës në qershor të vitit 2005, e cila rezultoi me një humbje prej 71,257.40 euro të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës – Njësia për sigurime të detyrueshme në Prishtinë. Atë kohë Kolë Puka ishte gjyqtar dhe Avdullah Robaj avokati i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës”, thuhet asokohe njoftimin e EULEX-it.

Robaj nuk e kishte pranuar fajësinë derisa ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim.

Po ashtu, trupi gjykues kishte urdhëruar të dy të pandehurit që t’ia kompensojnë Shoqatës së Sigurime të Kosovës shumën prej 71,257.40 euro, dhe i shpalli ata si përgjegjës të përbashkët dhe individualë për këtë.

Sipas burimeve të klina.info, tashmë dekani Robaj thuhet të jetë mbështetës i VV-së.