Mbi 100 zyrtarë të MPB’së të infektuar me koronavirus

Mbi 100 zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive që funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie, kanë rezultuar deri tash pozitivë për COVID-19. 20 prej të infektuarve janë staf civil, katër zyrtarë nga Kabineti i Ministrit Veliu dhe 80 zyrtarë policorë.

Detaje rreth gjendjes së tyre kanë dhënë nga Zyra për Informim në MPB. Sipas këtij institutucioni, gjendja e të infektuarve është stabile.

Thonë se përveç gjashtë zyrtarëve policorë që gjenden për trajtim në spital, të infektuarit e tjerë janë vetizoluar në shtëpitë e tyre.

“Deri me sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencitë e MPB-së, gjithsej janë të infektuar 104 zyrtarë me Covid -19, ku nga ta 20 zyrtar janë nga stafi civil, 4 zyrtarë nga kabineti i ministrit si dhe 80 janë zyrtarë policor. Sipas raportimeve gjendja e tyre është stabile ku të gjithë të infektuarit janë të vetë izoluar në shtëpitë e tyre, në përjashtim të 6 zyrtarëve policor që gjenden në spital për trajtim”, thuhet në përgjigjet e MPB’së drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, edhe zyrtarët e tjerë të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit, gjenden në vetizolim, por nuk kanë ndonjë simptomë.

“MPB është e informuar se gjendja e tyre është stabile për momentin. Po ashtu, disa zyrtarë të cilët janë raste të kontaktit me persona e infektuar me COVID-19, janë në vetë izolim por pa simptome. Ju njoftojmë që MPB është duke punuar me staf esencial sipas rekomandimeve të IKSHPK-së”, kanë deklaruar nga ky institucion.

Ndryshe, dje janë konfirmuar 119 raste të reja me koronavirus në vend. Me këtë shifër, numri total i rasteve të konfirmuara që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 5 mijë e 237, me gjithsej 113 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.