Mbi 40 zëvendësministra të emëruar, pritet miratimi i Ligjit për Qeverinë

Ka tre javë që kur Qeveria Hoti nisi punën. Deri më tani në kabinet, janë emëruar e riemëruar mbi dyzetë zëvendësministra.

E emërimet e shefit të ekzekutivit, Avdullah Hoti në kabinet si duket janë në përfundim e sipër.

Kështu së paku thotë, zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri, i cili shton se numri do jetë aq sa i duhet, të funksionojë sistemit qeverisës.

Si mungesë e miratimit të një ligji për Qeverinë, që nga paslufta udhëheqës të Qeverive në kabinetet e tyre, kanë caktuar ministri e zv.ministra, pa ndonjë kufizim.

E për këtë çështje, një ligj e kishte iniciuar Qeveria Haradinaj gjatë qeverisjes së tyre, e të cilin AAK tash në qeverinë Hoti, dëshiron t’i jap një epilog.

Zëvendëskryeministri Tahiri, thotë se tashmë për këtë çështje, janë marrë vesh edhe me kryeministrin Hoti.

Ndërkohë, njohës të zhvillimeve politike nw vend vlerësojnë se një ligj i tillë është mëse i nevojshëm.

Sipas Zekajt, kjo duhet të ndodhë pasi po përballemi me situata të njëjta në qeveritë e ndryshme.

Qeveria Kurti, pjesë e së cilës ishte edhe LDK, operonte me 35 zëvendës ministra.

Ndërsa, Qeveria Haradinaj pati më së shumti ministri, dhe mbi 80 zëvendës-ministra.