Me dinarë e euro, me rrymë ende falas

Në veri të Kosovës, qytetarët nuk e kanë problem të paguajnë me euro. Në fakt, atje thonë se kanë kursime në valutën e dinarit dhe pagat nga Serbia i marrin gjithashtu në këtë valutë. Sidoqoftë, kanë filluar të vendosin çmimet edhe në euro. Ndërkohë, në këtë zonë edhe më tej nuk ka filluar faturimi për energjinë e shpenzuar. Afati i fundit për vendosen e njehsorëve është muaji gusht.

Bankomatët e bankës komerciale janë të mbyllur më 1 shkurt në Kosovë. Por në veri të Mitrovicës, ende është në funksion një bankë tjetër… Të dielën, qytetarë të Kosovës të komunitetit serb, vazhdonin të tërhiqnin para.

Valuta është në dinarë. Në bizneset e vogla në sheshin e Mitrovicës së Veriut, ende paguhet me dinarë. Në një nga kioskat, gjatë ditës, dinari përdorej për pagesë dhe kusur.

Në kafeteritë në shesh të Mitrovicës së Veriut, gjithashtu paguhet me dinarë.

Megjithatë, ekipit të RTK-së, në një nga kafenetë e këtij qyteti, iu pranua pa hezitim valuta euro.

Edhe kusuri ishte në këtë valutë.Në këtë zonë në qendër të qytetit verior çmimet janë të ekspozuara edhe në euro.

RTK bisedoi me disa qytetarë të cilët prapa kamerës thanë se kanë në dinarë paratë e kursimeve si edhe pagat.

Siç duket ende duhet edhe pak kohë deri në zbatim të plotë të rregullores së re të BQK-së për valutat.

Qytetarëve të komunitetit serb në komunat veriore në veri tashmë u është ndaluar përdorimi i valutës së dinarit, mirëpo si çështje tjetër ata duhet të nisin të paguajnë konsumimin e energjisë elektrike.

Nga burime shumë të sigurta brenda Elektroseverit, RTK ka mësuar se ende nuk ka nisur faturimi i energjisë elektrike në komunat veriore.

Këtë fakt e kanë konfirmuar edhe serbët lokalë në ditët e fundit të afatit të faturimit.

Për energjinë e shpenzuar në veri dikush duhet të paguajë. Edhe për këtë çështje RTK ka mësuar se nëse Elektrosever, si kompani e cila është e obliguar që të faturojë energjinë, nuk e përmbush obligimin e vet, do të detyrohet të paguaj vetë për gjithë rrymën e shpenzuar.

Kosova e di saktë se energji shpenzohet në veri dhe kjo përmes distribuimit nga pjesa jugore.

Ndonëse ende nuk ka faturim të energjisë elektrike në veri të vendit, ato janë të detyruara që deri në fund të muajit gusht të këtij viti, t’i vendosin dhe rregullojnë njehsorët matës më të gjitha objektet.