“Më duhet të ulem një minutë”/ Presidenti i Sirisë ndërpret fjalimin sepse nuk u ndje mirë

Presidenti sirian Bashar Asad ndërpreu fjalimin që po mbante në parlament sepse i duhej ‘të ulej për një minutë’ pasi pësoi një rënie të shkurtër të presionit të gjakut.

Asad, 54 vjeç, kishte gjysmë ore që kishte marrë fjalën kur filloi të shfaqej i lodhur dhe e ndaloi fjalimin e tij dy herë për të marrë një gllënjkë ujë.

Ai po fliste për sanksionet e Shteteve të Bashkuara mbi Sirinë dhe krizën ekonomike në vendin e shkatërruar nga lufta kur i tha të pranishmëve:

Presioni im i gjakut ka rënë dhe unë kam nevojë të pi ujë.

Para se të largohej Asad tha:

Më duhet të ulem për një minutë nëse nuk e keni problem.

Nuk është e qartë se sa kohë qëndroi, por kur u kthye, Asadi, një mjek i trajnuar për sytë, bëri shaka se “mjekët janë pacientët më të këqij”. Ai u përshëndet me duartrokitje nga ligjvënësit para tij.

Burimi: Daily Mail | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania