Selimi Selimi kërkon që menjëherë të pezullohet dialogu me Serbinë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot në mbledhjen e Qeverisë ka kërkuar që të pezullohet menjëherë dialogu me Serbinë pas konfirmimit të aktakuzave ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.

Pas aktakuzave të konfirmuara tashmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin është mbledhur Qeveria e Kosovës.

Në këtë mbledhje ministrat e Qeverisë Hoti janë duke folur për këto aktakuza të Speciales.

Nga aty ministri i Drejtësisë, Selim Selmi tha se vendi po kalon në periudhë të vështirë dhe ngritja e aktakuzave është goditje për popullin.

“Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë dialogun deri në një moment tjetër. Qeveria e Kosovës është për vendosjen e drejtësisë, por gjykata duhet qartë të sqarojë se është gjykatë e Kosovës e nuk operon me “prova” të Serbisë”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se duhet ndërprerë të gjitha aktivitetet që lidhen me Serbinë.

“Duhet më shumë transparencë nga Dhomat e Specializuara për tërë procesin që po kalojnë ish- ushtarët e UCK-së. Të gjithë jemi për drejtësi dhe asaj nuk i ikë askush”, ka shtuar ai.