Mehmetaj: Kallëzimin penal e kam nga pushteti, përmes Dimal Bashës

Gazetari Lirim Mehmetaj është paraqitur sot në Prokurori, pas kallëzimit penal që i është bërë, siç thotë ai, nga pushteti për shkak të disa reagimeve që i kishte bërë ndaj një deklarate raciste të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Mehmetaj para mediave ka deklaruar se i ka ofruar ndihmë prokurores së rastit, Rukije Shasivari, duke i thënë se nëse ka presion nga dikush, mediat do të jenë në anën e saj.

“Unë nuk pata çka me deklaru, as nuk mora avokat, sepse nuk e trajtoj proces të rregullt ligjor. Prokurores i ofrova ndihmë, i thash kushdo që ka bërë presion, ne jemi në anën tende, dhe mundemi me ekspozu atë lloj shantazhusi që të ka detyru dhe obligu me përfshi vetën në këtë gabim, që mundet me kushtu edhe me karrierë, ulje page“, u shpreh ai.

Mehmetaj është pyetur se nga kush është paditur, dhe si përgjigje, ka dhënë emrin e deputetit Dimal Basha.

“Mu më ka bë kallëzim penal pushteti, përmes deputetit fashist Dimal Basha. Z.Basha, e ka bërë një pretendim që disa qytetari të një rajoni të Kosovës kanë mangu diçka nga disa qytetarë, ai ka nënkuptu që qytetarët e Drenicës që vijnë në Prishtinë, duhet mos me pasë kërkesa të shtuara, qysh thotë ai, “po lypin me u nxe”, ka thënë ai.

Mehmetaj u shpreh se është ekspozuar gjuha fashiste, dhe për këtë, ai u akuzua se “ka krijuar mosdurim dhe përçarje”.

“Këtë gjuhë fashiste e kam ekzposu, unë përfundoj këtu, paramendojeni me çfarë akuze, se kam kriju mosdurim dhe përçarje…Prokurorja u shihke që është e shqetësume, që nuk është rehat. Tash mbase gjindet në një dilemë që nuk do ta kisha parë askënd”, tha ai.