Memli Krasniqi: Arsyeja e vetme për ta hequr taksën është kërkesa e SHBA-së

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë sot në seancën për tarifën ndaj Serbisë se Kryeministri Albin Kurti duhet të marrë përgjegjësi e mos të sillet akoma si opozitar.

“T’i lëmë muhabetet e kota e argumentet e lodhëta, se krejt këtu e dimë që mbi të gjitha, sot është një arsye shumë e madhe pse duhet suspenduar taksa menjëherë”.

“Shtrëngohuni ju të koalicionit edhe flisni drejt që arsyeja e vetme meritore për me e heqë taksën është kërkesa e SHBA-ve. Kaq! Puna është e thjeshtë. Vendimi është i juaji. Ose e hiqni taksën dhe jeni në linjë me Amerikën ose nuk e hiqni taksën dhe pozicionoheni kundër Amerikës”.

“Ose, siç thotë Albin Kurti, Amelikes Amelikes. Se kohëve të fundit po e përmend me pak më shumë respekt se përpara”.

“Kosova s’guxon të vazhdojë me aventura në raport me partnerët ndërkombëtarë e më së paku me Amerikën”.

“Thirri mendjes Kryeministër, kudo qofsh tash, e merr përgjegjësi shtetërore se nuk je më opozitar. Nuk priten prej teje analiza e vjersha, po vendime e veprime. Mos e rreziko Kosovën me qenë në anën e atyre që s’e kanë mbështetjen e Amerikës”.

“Shërbimi më i madh që mund t’i bëhet Serbisë dhe Vuçiqit sot është nëse sot vepron kundër kërkesave amerikane”.