Memli Krasniqi pas dënimit të Haradinajt e Gucatit: Drejtësia herëdokur do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë

0
141

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas dënimit nga Gjykata Speciale me nga katër vjet e gjysmë burgim për krerët e OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Ai ka thënë se drejtësia herëdokur duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë, shkruan Demokracia.com.

“Liria e popullit tonë nuk është falur, por është fituar me gjak e sakrificë dhe lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, përballë një agresori pushtues e të pamëshirshëm, i cili ka provuar ta zhbëj identitetin dhe ekzistencën tonë. Kjo është e vërteta mbi të cilën na ka mbështetur qytetërimi perëndimor dhe bota demokratike dhe pjesë e kësaj të vërtete janë edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet e as nuk bën të harrohet. Në rrethana e krijuara sot, pas dënimit të tyre nga Gjykata Speciale, bashkëndjejmë me familjet Gucati e Haradinaj. Drejtësisë i kemi besuar dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë.”, ka shkruar Krasniqi.