Memli Krasniqi për nënën e Kadri Veselit: Një jetë të tërë me sakrifica, nuk kurseu asgjë nga vetja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e nënës së Kadri Veselit, Ajshe Veselit.

“Në këtë fillimvit, me dhembje të madhe morëm lajmin për vdekjen e nënës së ish-kryetarit Kadri Veseli, nënës Ajshe”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Nëna Ajshe ishte grua e fortë e bujare, nënë e një heroi të gjallë, që i rriti e i edukoi bijtë e saj në frymën e atdhedashurisë”.

“Një jetë e tërë me sakrifica, pa kursyer asgjë nga vetja, ku krenaria mposhti mallin për të birin, që në çdo etapë i shërbeu Kosovës. E tillë ishte jeta e nënës Ajshe, e cila i mbylli sytë pa e pasur pranë djalin e saj, Kadriun”.

Krasniqi tha se e gjithë partia të cilën e udhëheq i bashkohet dhimbjes së familjes së Veselit i cili po ashtu kishte qenë kryetar i kësaj partie.