Kurti tregon arsyen e mbledhjes së Qeverisë pak para seancës së Kuvendit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pak para nisjes për në Qeveri ka thënë se po ndihej shumë mirë derisa po dilte nga banesa e tij. Ai tha se po shkon në mbledhjen e Qeverisë, ku do të merren disa vendime të rëndësishme.

Kurti ka thënë se në këtë mbledhje do të ndahen 30 mijë euro për familjet e dy minatorëve, që humbën jetën dje në minierën e Artanës.

“Shumë mirë, kemi një mbledhje të Qeverisë në orën 10:00, në të cilën do t’i marrim disa vendime të rëndësishme, ku vendimi i parë do të jetë ndihma prej 30 mijë eurove për familjet e dy minatorëve, të cilët fatkeqësisht humbën jetën dje në minierën e Artanës”, ka thënë Kurti pak para nisjes për në Qeveri,raporton EO-ja.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës pas një ore pritet ta mbajë mbledhjen e Qeverisë. Kjo u bë e ditur nga vetë zyra e kryeministrit Kurti. Mbledhja pritet të fillojë në orën 10:00, në ndërtesën e Qeverisë. E kjo thirrje për të mbajtur mbledhjen e radhës nga ana e qeverisë “Kurti” po bëhet një orë para se të fillojë seanca e jashtëzakonshme për votimin e qeverisë “Hoti”. Seanca është paralajmëruar të mbahet në orën 11:00.