Menaxheri i fushatës së kryeministrit të Britanisë, ish-ministri James Wharton, vjen në Kosovë për ta përkrahur Veselin

Një prej figurave më të talentuara të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, James Wharton, sot vjen në Kosovë për ta mbështetur Kadri Veselin për kryeministër.

Këtë e ka konfirmuar edhe nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

James Wharton nga Partia Konservatore, në moshën 26 vjeçare ishte zgjedhur deputet për zonën e Stocktonit Jugor dhe njihet si një prej politikanëve më aktivë në këtë subjekt politik.

Ai më pas ka shërbyer edhe si Ministër për Zhvillimin Lokal dhe Rimëkëmbjen e Veriut në Qeverinë e David Cameronit, si dhe si Ministër për Zhvillim Ndërkombëtar në Qeverinë e Theresa May.

James Wharton së fundmi ishte shumë i angazhuar edhe në mbështetje të liderit konservator Boris Johnson, i cili aktualisht është kryeministër i Britanisë, duke u bërë menaxher i fushatës së tij.

Wharton pritet të ketë fjalë përshëndetëse sonte në tubimin përmbyllës të PDK-së, si përfaqësues i aleancës partiake evropiane të Konservatorëve dhe Reformatorëve Evropianë (ECR).

Në përkrahje të Kadri Veselit për kryeministër, ditë më parë kishte ardhur në Kosovë edhe Matthew Whitaker, ish-kreu i Drejtësisë së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.