Menaxhmenti i kompanisë “Feronikeli” deklarohet rreth zhvillimeve të ditëve të fundit në fabrikë

Menaxhmenti i Kompanisë NewCo Ferronikeli Complex LLC, pas organizimit të grevës së punëtorëve që ka rezultuar me ndërprerjen e prodhimit, kështu duke i shkaktuar humbje të madhe kompanisë, ka dhënë një sqarim.

Duke e çmuar kontributin e punonjësve të vet, Menaxhmenti në bashkëpunim me Sindikatën e punëtorëve të NewCo Ferronikelit thotë se ka marrë vendim që secili i punësuar të përfitojë nga skema e planifikuar e bonuseve.

“Sipas kësaj skeme punëtorët çdo muaj, përveç pagës, të cilën e marrin me rregull; do të përfitojnë edhe bonuse shtesë. Kjo do të varet nga performanca e secilit punëtor dhe realizimi i planit të përcaktuar mujor. Ne si menaxhment, jemi të bindur se kjo do të ndikojë në përmirësimin e performancës së punëtorëve dhe ngritjen e produktivitetit”, thuhet në komunikatën e menahxmentit.

Tutje në komunikatë thuhet se, punonjësve të NewCo Ferronikelit ju ofrohen kushte të punës me standarde të larta ndërkombëtare duke filluar nga pajisjet për mbrojtje në punë, ushqimi cilësor në punë, transporti, përkujdesja mjekësore, lavanderia për larjen e rrobave të punës, pagesa e orëve shtesë, pushimi me pagesë si dhe respektimi i të gjitha normave sipas ligjit të punës të Republikës së Kosovës.

Për këtë arsye, menaxhmenti në komunikatë ka theksuar se kërkesa e vetme e punëtorëve ka qenë rritja e pagës prej 100 eurosh për punonjës dhe asnjë arsye tjetër.

“Vlen të theksohet se paga mesatare e punonjësve të NewCo Ferronikeli është €550, ndërsa paga më e ulët është €400. Fatmirësisht, pas takimeve të zhvilluara me sindikatën e punëtorëve të NeëCo Ferronikelit dhe duke ju sqaruar situatën, punëtorët janë rikthyer në vendet e tyre të punës dhe prodhimi është duke vazhduar sipas planit”, thuhet tutje në komunikatë.

Menaxhmenti i NewCo Ferronikelit thotë se ka përpiluar dhe do vazhdojë të përcjellë propozime për rritjen e pagës në formatin e lejimit të rimëkëmbjes së kompanisë, pa cenuar performancën operacionale dhe financiare dhe njëkohësisht do të vazhdojmë me investime në të mirë të punëtorëve dhe fabrikës.

Ndryshe, grupi Balfin e ka marrë në posedim kompaninë NewCo Ferronikeli rreth një vit më parë.