Merret vendimi i rëndë ndaj Rusisë, aleatët perëndimorë i largojnë bankat ruse nga SWIFT

BE, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara sapo kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët që dënon pushtimin rus.

“Ndërsa forcat ruse sulmojnë Kievin dhe qytetet e tjera të Ukrainës, ne jemi të vendosur të vazhdojmë t’i imponojmë Rusisë kosto që do ta izolojnë më tej Rusinë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe nga ekonomitë tona,” kanë deklaruar këto vende, shkruan BBC, transmeton Fokusi.info.

Masat që do të zbatohen në ditët në vijim përfshijnë heqjen e “bankave të zgjedhura ruse nga sistemi i mesazheve SWIFT“.

“Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e tyre për të operuar globalisht.”

SWIFT është arteria financiare globale që lejon transferimin e qetë dhe të shpejtë të parave përtej kufijve.

Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën (SWIFT), është një shoqëri bashkëpunuese që shërben si ndërmjetës dhe ekzekutues i transaksioneve financiare midis bankave në mbarë botën.