Ndërron jetë në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha

Ndërroi jetë në moshën 99-vjeçare, Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish-udhëheqësit të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Është ndarë nga jeta, luftëtarja e Divizionit të Parë të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, Nexhmije Hoxha. Ajo lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, në familjen dibrane Xhuglini. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. Pas çlirimit të Shqipërisë vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi.

Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta në parti dhe shtet.

Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së.

Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë.
Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”.

E ndjera u martua me Enver Hoxhën me 1 janar të vitit 1945, me të cilin pati tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.