Mësohet nëse Pacolli do të marrë pjesë në seancën e së shtunës

Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, do të jetë pjesë e seancës së ditës së shtunë në Kuvendin e Kosovës, e cila pritet ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës – votimin e qeverisë së re në krye me Avdullah Hotin.

Këtë e bëri të ditur këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj.

Sipas Zyberajt, askush nuk mund ta privojë Pacollin nga kjo e drejtë që i takon me Kushtetutë.

Zyberaj gjithashtu komentoi deklaratën e Pacollit, i cili tha se është ndjerë i frikësuar se mund të ketë akt terrorist ndaj aeroplanit të tij, gjë që sipas tij, ishte edhe arsyeja se pse ateroi fillimisht në Shqipëri.

Ai, për Klan Kosovën, tha se deklarata e tij ishte e natyrshme pas presionit dhe diskursit që ka dominuar opinionin publik gjatë këtyre ditëve.

Deputeti Behgjet Pacolli pasi ateroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” shkoi në rezidencën e tij në Hajvali, ku po qëndron akoma.