Mësuesit kosovarë, fuqi punëtore në Evropë, shtatori pa ta!

Afrimi i pushimeve të verës ua ka futur frikën drejtorëve të Arsimit nëpër komuna.

Kjo për shkak të tendencës së mësimdhënësve për ta lënë Kosovën dhe për të gjetur një punë më të mirë në perëndim.

Sipas tyre, viti i ri shkollor do të fillojë me shumë më pak mësimdhënës. E këtë e kanë quajtur shqetësuese.

Përfaqësuesi i Kolegjiumit të DKA-ve në Kosovë, Afrim Llabjani ka thënë se ende nuk e dinë saktë se sa profesorë dhe nxënës kanë lënë Kosovën pas liberalizimit të vizave. Për këtë thotë se janë duke i mbledhur statistikat.

E lidhur me kërkesat e shumta të prindërve që fëmijët t’i marrin me vete në pushime, Llabjani e ka një thirrje për drejtorët e shkollave.

Pamundësia për të hapur konkurs për profesorë në periudhë të shkurtër dhe periudha e tej zgjatur prej 45 ditësh për të plotësuar një vend të ri, sipas njohësit të arsimit Samir Shahini, do ta bëjnë edhe më të vështirë situatën me të cilën po përballet sistemi i arsimit pas liberalizimit të vizave.