Meta thirrje Monës: Reflekto!

0
400

Kreu i shtetit Ilir Meta i bën apel shumicës dhe opozitës që të heqin dorë nga demonstrimi i forcës me mitingje dhe anti-mitingje dhe të ulen për të dialoguar. “Ka një hapësirë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe secili duhet të reflektojë. Është detyrë e tyre të tregojnë vullnet për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës dhe të udhëhiqen nga arsyeja” tha Presidenti.

Presidenti i Republikës Ilir Meta nga Durrësi ku ishte në kuadër të 7 Prillit në përkujtim të 80-vjetorit të rezistencës antifashite kërkoi nga shumica dhe opozita që të heqin dorë nga përdorimi i forcës me mitingje dhe antimitingje dhe të reflektojnë duke treguar vullnet për dialog. Ai tha se, demonstrimi i forcës është i panevojshëm dhe një gjë e tillë dëmton përparimet që ka bërë Shqipëria nga viti i mbrapsht, 1997-ta.

“Ne jemi në Durrës në këtë 80-vjetor për të kujtuar me krenari të pafundme Mujo Ulqinakun dhe të gjithë ushtarakët dhe vullnetarët që i qëndruan betimit për atdhe dhe flamur dhe bënë krenarë cdo shqiptar njëherë e përgjithmonë. Vendosën vendin tonë në anën e duhur të historisë. Përkulem me nderim të jashtëzakonshëm.

Unë besoj te dialogu dhe zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë, Kushtetues, institucional dhe demokratik dhe unë besoj që pas 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme dhe i nxis politikanët e përgjegjshëm kudo që ndodhen në shumicë apo opozitë të tregojnë që në këto 22 vite që Shqipëria ka bërë përparime dhe nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe demonstrimeve të forcës, mitingjeve dhe antimitingjeve të panevojshme.

Aq më tepër jemi në prag të sezonit turistik. Ka një hapësirë për të gjetur zgjidhet e duhura dhe secili duhet të reflektojë. Është detyrë e tyre të tregojnë vullnet për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës dhe të udhëhiqen nga arsyeja” deklaroi Meta.

Opozita ka djegur mandatet dhe ka dalë në rrugë në protesta sa herë ka seanca plenare, ndërsa në dy herë ka zhvilluar protesta kombëtare para Kryeministrisë, teksa po përgatitet për të tretën para selisë së qeverisë, e cila është e nënta në total nga 16 shkurti. Opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama dhe zgjedhje të parakohshme përmes një qeveri teknike.

Por Edi Rama është shprehur i vendosur se nuk do të dërgojë vendin në zgjedhje para vitit 2021 kur mbaron mandati. Të gjithë ndërkombëtarët nga SHBA dhe BE-ja e kanë cilësuar si të gabuar vendimin e opozitës për të djegur mandatet, ndërsa kanë dënuar edhe dhunën në protestat e PD dhe LSI-së.