Meta vlerëson me titullin ‘Mjeshtër i madh’ futbollistin e njohur: Shembull frymëzimi e model suksesi, për brezat e rinj

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekoruar me titullin “Mjeshtër i madh” futbollistin e njohur Miltiadh Gurma.

Me anë të një postimi në rrjete sociale Meta shprehet se Gurma është një shembull frymëzimi dhe model suksesi që duhet ndjekur nga brezat e rinj.

“Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe personalitetin e gjithanshëm në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të shkëlqyera si lojtar dhe trajner me rezultate të larta, kisha kënaqësinë e veçantë të çmoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” një prej ikonave të futbollit të Sarandës, Luftëtarit, Shkëndisë së kohëve të arta dhe të Ekipit tonë Kombëtar, Miltiadh Gurma.

Kam patur fatin ta shoh virtuozitetin në fushën e blertë të këtij futbollisti të nivelit ndërkombëtar, që për talentin e jashtëzakonshëm, krahasohej vetëm me lojtarin e madh gjerman Franz Beckenbauer.

Saranda, Gjirokastra dhe e gjithë Shqipëria janë krenuar me të drejtë gjithmonë me Miltiadh Gurmën, shembull frymëzimi dhe model suksesi, që duhet ndjekur nga brezat e rinj”, shkruan Meta.

/Fokusi.info/