Kurti tregon pse gaboi Ramush Haradinaj kur vendosi taksën 100 përqind

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj dhe qeverisja e tij kanë gabuar kur vendosën taksën 100 përqind, pasi që nuk takuan biznesmenët kur morën këtë vendim.

Kështu deklaroi ai sot në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ndër të tjera tha se po përpiqet që të vendosë sa më shpejtë rreth kësaj çështje.

“Ne do të përpiqemi sa më shpejt mirëpo unë nuk mund të jap një datë tash pa i filluar mbledhjet e qeverisë, pa e vendosur këtë në kabinetin tim dhe natyrisht pa e takuar edhe komunitetin e biznesit. Unë besoj që kur është vendosur tarifa 100 për qind në vjeshtën e vitit 2018, është bërë gabim që nuk i kanë takuar biznesmenët tanë e posaçërisht prodhuesit, mirëpo jemi ku jemi tash dhe neve na duhet ta shqyrtojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj çështje”, tha ai.

Ndër të tjera, Kurti në këtë intervistë ka folur edhe rreth dialogut me Serbinë, për të cilin tha se nuk dëshiron të ngutet shumë.

Mirëpo, sipas udhëheqësit të ri të vendit, një marrëveshje me Serbinë nuk është e pamundur që të ndodhë edhe këtë vit.