Metush Kryeziu në Hagë: Do të doja të isha i burgosur unë në vend të Gucatit e Haradinajt

Në gjykimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Gjykatën Speciale është dëgjuar edhe dëshmia e Metush Kryeziut, anëtar i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Dëshmitari tha në Gjykatë se ai kishte dëshirë që të ishte duke u gjykuar në vend të Haradinajt e Gucatit.“Hysniu është i plagosur në këmbë dhe vuan nga diabeti kronik, sa i përket Nasimit nuk njoh ndonjë familje tjetër në Kosovë që ka vuajtur më shumë se familja e Nasimit”, tha dëshmitari.

Kryeziu ka treguar edhe momentin kur zyrtarët e ZPS-së kanë shkuar për t’i marrë dosjet. Më 17 shtator 2020 tha se ka qenë në zyrat qendrore të OVL-UÇK në Prishtinë kur aty sipas tij kishin arritur hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai ka thënë se nuk ka folur me asnjërin nga personat e ZPS, duke shtuar që të njëjtit kanë biseduar me Gucatin e Haradinajn. Pas kësaj, zyrtarët e ZPS-së i kanë marrë dokumentet dhe janë larguar nga vendi.

Ndryshe nga dëshmitarët paraprakë, për Kryeziun trupi gjykues nuk ka pasur pyetje veçse nga mbrojtja u lexua deklarata e tij me shkrim, të cilën trupi gjykues e pranoi si provë materiale. Me deklaratën e Kryeziut, trupi gjykues ka përfunduar dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtjes për sot. Procesi gjyqësor do të vazhdojë edhe nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Sipas aktakuzës, në organizatën që Gucati e Haradinaj drejtonin, kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Të gjitha këto Gucati e Haradinaj pretendohet se i kanë bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.Gucati ishte vetëdeklaruar i pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës kurse Haradinaj vendosi të vetëdeklarohet në lidhje me fajësinë ose pafajësinë brenda 30 ditësh. Në paraqitjen e mëtejshme, më 8 janar 2021, Haradinaj nuk u vetëdeklarua në lidhje e bazuar në rregullën 92(2)(f) të Rregullores, gjykatësi i procedurës paraprake bëri deklarimin në emër të të akuzuarit se është i pafajshëm.