Milaim Zeka: Autostrada, hajni klasike e parasë publike

Deputeti i Nismës Social Demokrate, Milaim Zeka ka reaguar pas lajmit se një punëtor i Bechtel Enkës tha që autostrada “Arbën Xhaferi” nuk është e sigurtë.

Përmes një statusi në “Facebook”, Zeka ka shkruar se kjo pikërisht është arsyeja se pse nuk ka shkuar në përurimin e kësaj autostrade që e ka quajtur urë të hajnisë klasike.

“Lexoni ku kemi ra? Në fund te pusit. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse nuk isha në përurimin e Urës të Hajnisë klasike të parasë publike. Ky Perparim Sadiku, për mu është hero i Kosovës”, shkroi ai.

Përparim Sadiku për disa kohë kishte qenë punëtor në Kompaninë Bechtel Enka, i angazhuar në Autostradën ‘Arbën Xhaferi’, përurimi i së cilës u bë sot. Sadiku, kishte qenë i lënduar rëndë gjatë punimeve në atë autostradë. Por, pavarësisht kësaj ai nuk ishte ftuar sot në ceremoninë e përurimit. Aktualisht, ai është në kontest gjyqësor me këtë kompani.

Ish-punëtori i Bechtel Enkas, ka hedhur dyshime për cilësinë e autostradës ‘Arbën Xhaferi’. I ftuar në emisionin Frontal, Sadiku e ka quajtur autostradën të mirë vetëm në pamje.

“Autostradë mund ta quaj një autostradë në thonjëza. Pamja është e mirë, por zemra është e keqe”, theksoi Sadiku.

Madje, Sadiku ka thënë se nuk ka guxim të udhëtojë nëpër autostradën e re për shkak të cilësisë së dobët.

“Nuk kam besim ta kaloj urën. Nuk do ta vizitojë kurrë autostradës përtej Fusha e Pajtimit. Për shkak se më ndodhi lëndimi duke e ndërtuar dhe cilësisë së keqe. Jam i bindur se 30% i punëtorëve nuk kanë zemër të shkojnë në atë autostradë për shkak të ndërtimit të keq”, tha Sadiku.

E për ndërtimin e keq të autoudhës “Arbën Xhaferi”, Sadiku ka thënë të ketë foto që dëshmojnë një gjë të tillë.

Ai ka deklaruar se është i gatshëm t’ia ofrojë Prokurorisë së shtetit nëse e kontaktojnë.

Sadiku tregoi se atij i është ndaluar 30% e pagës nga Bechtel, të cilën e merrte si kompensim për lëndimin në vendin e punës.

Arsyeja sipas tij ishte deklarimet publike që i kishe bërë në emisionin Frontal rreth lëndimit të tij në punë.