Milaim Zeka parashikon zgjedhje në tetor

0
258

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka komentuar situatën aktuale politike në vend.

Zeka ka vlerësuar në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se vendi pashmangshmërisht do të shkojë në zgjedhje gjatë këtij viti.

Por, ai ka thënë se qytetarët nuk do t’i drejtohen kutive të votimit para vjeshtës.

“Zgjedhje s’mund të kemi para vjeshtës”, është shprehur ai. “Maksimumi në tetorin e këtij viti do të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Zeka.

Sipas tij, “asnjë parti s’është më favorizuese në opinione”.

“Meqenëse PDK i kanë zgjedhjet brendapërbrenda partisë… Po shihet se ka rryma të ndryshme. Ato nuk kanë kaluar në mënyrë të qetë, ka pasur përleshje mes anëtarëve”, ka thënë Zeka, duke folur për Partinë Demokratike të Kosovës.

Deputeti ka paralajmëruar “ndeshje të ashpra” edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës

Ai ka thënë se në partinë që aktualisht e udhëheq Isa Mustafa janë “tri rryma të ndryshme”.

“Pritet që Fatmir Sejdiu të kthehet me kandidaturën e vet si kryetar”, ka deklaruar Zeka.

Ai ka parashikuar “një garë të ashpër mes grupit të Bujar Bukoshit, dhe Lutfi Hazirit, që i takon grupit të Agim Veliut dhe krahut të vjetër të LDK’së”.

E vetmja parti që s’do të ketë rryma të ndryshme është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë Zeka në T7.

“Lideri më autoritativ sot për sot është zoti Haradinaj”, është shprehur ai./Express