Milionat ruse kundër shtetësisë së Kosovës

Rusia ka agjendë, përmes së cilës tenton të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, ashtu sikurse edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe ajo investon për prishjen e imazhit të vendit, kanë deklaruar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten ka theksuar se ekziston një agjendë e Rusisë dhe tendencat për përfshirjen e Kosovës në procese, të cilat do ta nxirrnin vendin, siç ka thënë ai, “jashtë binarëve”.

Haradinaj ka thënë se në forma jo të drejtpërdrejta, Rusia investon para në idenë për ta paraqitur Kosovën “në një status-quo regresive”.

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që, sipas të dhënave dhe analizave të ndryshme, del se politika e Rusisë vazhdon të tentojë që t’i minojë proceset integruese të vendeve të rajonit në NATO dhe BE, përmes pranisë në këto vende, përfshirë edhe Zyrën e Rusisë në Kosovë.

“Sipas shumë të dhënave dhe analizave të ndryshme, del se në Malin e Zi, Maqedoni, Shqipëri, por edhe Zyra ruse në Kosovë, janë të angazhuara që ta shtrijnë këtë ndikim përmes krijimit të pengesave te këto shtete të lidhjes me NATO-n, përkatësisht, me Bashkimin Evropian. Për këtë, ekziston një bazë e quajtur ‘humanitare’, e cila sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk është një qendër humanitare në Nish (Serbi), por është një qendër e spiunazhit rus”, thekson Matoshaj.

https://www.evropaelire.org/a/milionat-ruse-kudner-shtetesise-se-kosoves/29877659.html