Mungesë e transparencës: Institucionet e Kosovës të mbyllura për publikun

Mungesa e zëdhënësve në institucionet kyçe të Kosovës në qeverinë e re po e bëjnë më të vështirë punën e mediave.

Mediat në Kosovë e kanë pothuajse të pamundur t’i qasen institucioneve të vendit tash e një muaj pas formimit të tyre për arsye të mungesës së zëdhënësve, shkruan lajmi.net.

Qeveria e Kosovës, ministritë dhe Kuvendi i Kosovës po tregojnë mos-transparencë ndaj mediave dhe publikut duke mos u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve nëpërmjet telefonit dhe email-it.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës pozita e zëdhënësit është e rëndësisë së veçantë për transparencën dhe gazetarët duhet të kenë burim ku marrin përgjigje për temat që janë në interes të publikut.

“Pozita e Zëdhënësit të Qeverisë është e një rëndësie të veçantë për transparencën e këtij institucioni publik, por edhe për punën e gazetarëve. Ata duhet të kenë një burim nga ku mund të marrin përgjigje për temat që trajtojnë çdo ditë në interes të publikut”, është shprehur Gentiana Begolli, presidente e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Begolli në një prononcim për lajmi.net ka treguar se kanë pranuar ankesa nga gazetarët të cilët nuk po marrin përgjigje në pyetjet e drejtuara në institucionet e vendit.

Gjithashtu, bordi i AGK-së i ka rekomanduar qeverisë së re të emërojë sa më parë zëdhënësin.

“Bordi i AGK-së i rekomandon qeverisë së re emërimin sa më parë të zëdhënësit, në mënyrë që Qeveria të jetë transparente jo vetëm ndaj gazetarëve, por ndaj qytetarëve të Kosovës. Këto ditë kemi marrë ankesa nga gazetarët se nuk po marrin përgjigje për pyetjet që ia parashtrojnë Kuvendit, Qeverisë dhe për shkak të mungesës së emërimit të zëdhënësit. Qeveria dhe Kuvendi, duhet të reagojë duke treguar gatishmëri për transparencë dhe bashkëpunim me mediet e gazetarët”, tha Begolli.

Edhe asistenti i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, ka thënë se mungesa e zëdhënësve në institucione e vështirëson punën e gazetarëve.

“Ka një muaj që janë krijuar institucionet e reja të Kosovës, përfshirë Qeverinë, Ministritë dhe udhëheqjen e re të Kuvendit të Kosovës dhe mungesa e një zëdhënësi pa dyshim që vështirëson punën e gazetarëve në qasjen në informacionet burimore”, tha Zeneli.

Më tutje, profesori Zeneli është shprehur se transparenca e institucioneve matet me qasjen që kanë gazetarët ndaj institucioneve, por sipas tij, mungesa e transparencës ka qenë edhe praktikë e qeverive të kaluara.

“Aktualisht gazetarët nuk kanë ndonjë adresë zyrtare politike në të cilin t’i drejtojnë pyetjet e tyre. Transparenca e institucioneve, matet edhe me qasjen që kanë gazetarët në adresat zyrtare të informimit pra zëdhënësit. Por, mos të harrojmë që edhe qeveritë e kaluara kanë pasur një praktikë të tillë e cila ka vështirësuar punën e përditshme të gazetarëve.”, tha Zeneli.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në qeverinë e Kosovës dhe të gjitha ministritë deri më tani për tema të ndryshme por asnjëherë nuk ka pranuar përgjigje deri më sot.

Ndërkohë, vlen të theksohet se Vetëvendosje dhe Albin Kurti një ndër kritikat kryesore ndaj qeverive të kaluara e kanë pasur jo-transparencën ndaj mediave dhe publikut.